45. Kërkoni ndihmë (në të gjitha çështjet) me durim dhe
me namaz, vërtet, ajo është e madhe (vështirë), por jo edhe për ata që
kanë frikë (Zotin).
103. E sikur të kishin besuar ata
dhe sikur të ishin ruajtur (prej mëkateve), po të dinin, shpërblimi
prej All-llahut do të ishte shumë më i dobishëm.
177.
Nuk është tërë e mira (e kufizuar) t'i ktheni fytyrat tuaja kah lindja
ose perëndimi, por mirësi e vërtetë është ajo e atij që i beson
All-llahut, ditës së gjykimit, engjëjve, librit, pejgamberëve dhe
pasurinë që e do ua jep të afërmve, bonjakëve, të varfërve, udhëtarëve,
lypësve dhe për lirimin e robërve, dhe ai që e fal namazin, e jep
zeqatin, dhe ata që kur premtojnë e zbatojnë, dhe të durueshmit në
skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës. Të tillët janë ata të
sinqertit dhe të tillët janë ata të devotshmit.
(2-Bekare)
200.
O ju besimtarë, bëni durim, bëhuni të qëndrueshëm kundër armikut, rrini
të përgaditur dhe, që të shpëtoni, ruajuni dënimit të All-llahut.
(3-Ali Imran)
39.
E kush pendohet pas punës së keqe (vjedhjes) dhe përmirësohet, s'ka
dyshim, All-llahu ia pranon pendimin, All-llahu është që falë shumë,
është mëshirues.
(5-Maide)
126.
Në qoftë se doni të merrni hak, atëherë ndëshkoni në atë masë sa jeni
ndëshkuar ju; e nëse duroni, pa dyshim ai është më i mirë për ata që
durojnë.
127. Pra, të jesh i durueshëm! Durimi yt
është vetëm me ndihmën e All-llahut. Ti mos u pikëllo për ata, as mos u
brengos për dredhitë që bëjnë ata!
128. S'ka dyshim se All-llahu është me ata që janë të devotshëm (që ruhen prej të këqijave) dhe me ata që janë bamirës.
(16-Nahl)
130.
Prandaj, ti bëhu i durueshëm ndaj asaj që thonë ata, dhe duke
falënderuar Zotin tënd, falu para lindjes së diellit dhe para perëndimit
të tij, falu edhe në orët e natës dhe në skajet e ditës, ashtu që të
gjesh kënaqësi (me shpërblim).
(20-Ta Ha)
85. (Përkujto) Edhe Ismailin, Idrisin dhe Dhulkiflinë, që të gjithë ishin të durueshëm.
(21-Enbija)
34.
Ne i kemi caktuar çdo populli vendtherrjen (e kurbanit), që ta
përmendin emrin e All-llahut, për arsye se i furnizoi ata me kafshët.
Zoti juaj është një Zot, andaj vetëm Atij dorëzohuni, e përgëzo të
dëgjueshmit.
35. Të cilët, kur përmendet All-llahu, u
dridhen zemrat e tyre, të cilët janë të durueshëm ndaj asaj që i godet,
të cilët rregullisht e falin namazin dhe të cilët japin për qëllime të
dobishme nga ajo me çka i furnizuam Ne.
(22-Haxhxh)
54.
Atyre u jepet shpërblim i dyfishtë për arsye se bënë durim, dhe ata të
keqen e largojnë me të mirën, e nga ajo që Ne i furnizuam, ata japin.
79.
Ai (Karuni) doli para popullit të vet me stolinë e vet, e ata që kishin
synim jetën e kësaj bote thanë: "Ah, të kishim pasur edhe ne si i është
dhënë Karunit, vërtet ai është fatbardhë!"
80. E ata
që ishin të zotët e diturisë thanë: "Të mjerët ju, shpërblimi i
All-llahut është shumë më i mirë për atë që besoi dhe bëri vepër të
mirë, po atë nuk mund ta arrijë kush përveç të durueshmëve!"
(28-Kasas)
58.
E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, atyre do t'u bëjmë vend të
lartë në xhennet në të cilin rrjedhin lumenj, aty janë përgjithmonë; sa i
mirë është shpërblimi për atë që vepruan.
59. Të cilët bënë durim dhe vetëm Zotit të tyre iu mbështetën.
(29-Ankebut)
17.
O djali im, fale namazin, urdhëro për punë të mira, e ndalo nga të
këqijat, përballo me durim çdo gjë që të godet, vërtet, këto janë nga
çështjet më të preferuara.
(31-Lukman)
55.
Ti bën durim, se premtimi i All-llahut është i vërtetë, kërko falje për
mëkatin tënd, lartësoje me falënderim Zotin tënd mbrëmje e mëngjes.
(40-Gafir)
10. Dhe ki durim ndaj asaj që të thonë dhe largohu atyre i matur.
(73-Muzemmil)
24. Andaj ti bëhu i durueshëm deri në vendimin e Zotit tënd e mos dëgjo as mëkatarë, as jobesimtarë.
(76-Insan)
17. E pastaj të bëhej prej atyre që besuan, që këshilluan njëri-tjetrin për durim dhe që këshilluan për mëshirë (për ndihmë).
(90-Beled)
1. Pasha kohën!
2. Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt.
3.
Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën
njëri-tjetrin t'i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin
të jenë të durueshëm.
(103-'Asr)